Kinematë janë mbyllur, por filmi i parë për koronavirusin tashmë ka dalë
Sallat janë të mbyllura, por kinemaja është duke menduar rreth koronavirusit. Ka mbërritur filmi i parë mbi Covid-19.
Filmi “Korona” mban firmën e regjisorit iranian Mustafa Keshvari, i cili jeton në Kanada. Ai zhvillohet në një ashensor, ku një vajzë kineze (Traei Tsai) e cila mund të jetë e infektuar nga virusi mbetet e bllokuar brenda me shtatë persona të tjerë. Çfarë do të ndodhi në vazhdim?
“Korona” trajton temën e paragjykimit. Regjisori Keshvari thotë për “New York Times”: “Ky film flet për frikën, një studim mbi shoqërinë, njerëzit dhe zgjedhjet e tyre”. Regjisorit i lindi kjo ide teksa ishte në ashensor, dy muaj më parë dhe ishte duke lexuar lajmet mbi sulmet që po përjetonin turistët kinezë, të nxitur nga paranoja mbi koronavirusin.
Keshvari rikujton se: “Covid-19 – fillimisht u përkufizua si virusi kinez. Por tashmë, ai infekton këdo pa dallim race. Sot raca njerëzore duhet të bashkohet për të mundur këtë virus. Virusi nuk bën diskriminime, atëherë pse ne duhet të bëjmë diskriminim?”
Përveç vajzës kineze, personazhet e tjera të bllokuara në ashensor janë një punonjës i mirëmbajtjes, (Emy Aneke), i vetmi i cili duket se e mban nën kontroll frikën ndaj infektimit; një milionere (Zarina Sterling); një supremacist i bardhë në karrige me rrota (Richard Lett); pronari i pallatit (Josh Blacker); një grua shtatzënë (Andrea Stefancikova) dhe një banor borxhli (Andy Canete).
Filmi është xhiruar brenda disa ditëve në muajin shkurt me një trup prej 25 aktorësh, kur epidemia sapo kishte nisur. Nuk ka pasur asnjë rast pozitiv ndaj koronavirusit tek aktorët e kastit. Filmi do të shpërndahet në streaming.